Monumente dhe ndërtesa të ndryshme, në gjithë botën, do të ndriçohen sot me ngjyrë vjollcë, për të shënuar “Ditën Ndërkombëtare të Epilepsisë”, e cila çdo 8 shkurt nxjerrë në pah problemet me të cilat përballen njerëzit e prekur nga epilepsia, familjet dhe kujdestarët e tyre, në çdo pjesë të botës.
Sëmundja e epilepsisë shkaktohet nga një grup i çrregullimeve neurologjike afatgjatë, që karakterizohen nga krizat ose atakët epileptike. Këto kriza mund të jenë të shumëllojshme, duke filluar që nga ato të shkurtrat që zgjasin shumë pak, nganjëherë edhe gati të padukshme, e deri tek ato që zgjasin një periudhë më të gjatë, duke shkaktuar dridhje të fuqishme të trupit. Krizat epileptike janë rezultat i një aktiviteti jo normal të qelizave të trurit.
Sot, në të gjithë botën rezultojnë të prekur nga epilepsia rreth 1 për qind e njerëzve dhe rreth 80 për qind e rasteve ndodhin në vendet që janë në zhvillim.