Një model pozitiv (role model) shërben si një shembull frymëzues për të rinjtë që duan të jetësojnë ëndrrat e tyre dhe i tregojnë atyre se si të jetojnë me integritet, optimizëm, shpresë, vendosmëri dhe empati (dhembshuri). Këtë më së miri e dëshmon edhe Rina Binxhiu nga Gjakova, e cila në vazhdën e sukseseve të njëpasnjëshme, sot jeton në Amerikë dhe punon si inxhiniere e teknologjisë në njërën prej kompanive më të mëdha të teknologjisë shumëkombëshe kompjuterike në botë “DELL”.
Për Radio KFOR-in, drejtuar shumë të rinjve që aspirojnë për një të ardhme të ndritur, Rina tregoi për rrugëtimin e saj dhe po ashtu dha një porosi shumë të vlefshme: “Jam rritë me frymën e shkollimit si prioritet dhe prej shkollës së mesme shkova në Amerikë dhe pastaj në Gjermani, si exchange student. Si vajzë e një inxhinieri, me një vlerësim të shkencës, teknologjisë dhe matematikës, vazhdova studimet për Inxhinieri të kompjuterëve në Universitetin e Illinois, në Chicago. Tani punoj si inxhiniere Softuerësh, në Dell dhe po i vazhdoj studimet master për Inxhinieri. Si në shkollë e si në punë, të jesh femër në industrinë e teknologjisë, si industri e dominuar nga gjinia tjetër, është ende sfiduese, sepse kur hyn në klase apo tash në zyre, nuk sheh shumë që duken si ti, por kjo për mua është motiv, të jem shembull për vajzat e tjera, të jem një që ‘duket si ato’. Për të rinjtë them që suksesi varet nga ne, me punë e vendosmëri. Bëhuni të zotët e vetes dhe hapni dyert e blinduara”, nënvizoi Rina.
I suksesshëm në një lëmi tjetër, në atë të mjekësisë, është edhe i riu Dejan Mihajlloviq (Mihajlović), i cili edhe pse vetëm 27 vjeçar, sot është një doktor i dalluar: “Unë u diplomova në moshën 25 vjeçare, me një mesatare prej 9.8, para afatit. Isha një bursist i Fondit për Talentët e Rinj, si një student i brezit. Kam marrë çmimin për mjekun e ri më të mirë në Serbi për vitin 2018 dhe për heroin e ri për vitin 2019. Isha pjesëmarrës në kongrese të shumta vendase dhe të huaja dhe fitues i disa çmimeve në të njëjtat kongrese.”
Këto histori suksesi, ndikojnë që të rinjtë tanë të mund të krijojnë një vizion për të ardhmen e tyre, duke qenë se atributi më i madh i një modeli pozitiv është aftësia për të frymëzuar të tjerët.