Ditë më parë përfundoi kampi i 40-të kampistëve të rinj të organizatës TOKA , të cilët ishin pjesë e kampit “Super-Vullnetarët”, ku përveç argëtimit dhe shoqërimit, këta të rinj patën mundësi të zhvillojnë shkathtësitë e punës me dru si dhe të planifikojnë dhe të bashkëpunojnë mes vete për të kontribuar në komunitet. Nuk kaloi shumë kohë dhe këta të rinj të zellshëm ndihmuan dy shkolla, duke dëshmuar punën dhe dijen e tyre që e kanë fituar përgjatë kampit.
Pikërisht ky ishte edhe qëllimi që ne kontaktuam koordinatorin për edukim në Organizatën “Toka” , Naim Rubelli, i cili për radio KFOR-in, tha:
“Këta të rinj kanë krijuar disa rafte për dy klasë, në dy shkolla në Kosovë, një shkollë ka qenë në fshatin Bjellobrad të Dragashit dhe tjetra në fshatin Strofc të Vushtrrisë. Këta të rinj me punën e tyre të palodhshme kanë arritur t’ia shtojnë vlerën këtyre dy klasave dhe nxënësve që janë pjesë e atyre dy shkollave dhe t’ju ofrojnë kushte më të mira për mësim”.
Organizata Joqeveritare “Toka” ka edhe tre grupe të tjera të Super-Vullnetarëve me të cilët mban takime të rregullta. Për fund ne morëm edhe një mesazh nga z. Rubelli: “Një mesazh që ia kisha dhënë të rinjve është që në momentin që shohin këto mundësi të punës vullnetare, le të marrin pjesë në to, se me të vërtetë është një eksperiencë shumë e mirë, ku përveç që mësojnë gjëra të reja dhe krijojnë shoqëri të re, gjithashtu qëllimi është të përgatiten këta të rinj për të ardhmen, që kur të vjen koha ata të punësohen dhe të jenë më të gatshëm për tregun e punës.”