‘Dita Botërore kundër Sidës’ (1 Dhjetor) është një rast për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje, mirëpo është një rast i mirë gjithashtu që njerëzimi të vazhdoj përpjekjet për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV i cili shkakton Sidën dhe për t’u angazhuar në luftën për parandalimin dhe përhapjen e mëtejme të këtij virusi.
Në lidhje me këtë ditë, Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me Infektologun Izet Sadiku, i cili na ofroi disa shifra të të prekurve me këtë virus, të paraqitura në Klinikën Infektive, në Kosovë.
“Ne e dimë që në botë janë diku rreth 36 milion njerëz të prekur me HIV Aids, mirëpo Kosova bën pjesë në grupin e vendeve me shifër të ulët të rasteve me Sidë. Në qendrën për këshillim dhe testim vullnetarë, në Klinikën Infektive, nga personat që sivjet i kemi testuar, 5 raste kanë qenë HIV pozitiv”, tregoi infektologu Sadiku.
Për herë të parë virusi HIV ishte identifikuar në vitin 1984 nga shkenctarët francezë dhe amerikanë dhe mendohet që fillimisht kjo sëmundje ishte shfaqur tek një majmun, prej të cilit më pas është përcjellur te njeriu.