Ne i përdorim çdo ditë, e pse të mos ua kushtojmë një ditë, të festojmë që i kemi! Është fjala për emocionet e shprehura me vizatime, të njohura si Emoji, të cilat janë bërë pjesë e pandashme e komunikimit të përditshëm që kemi në rrjetet sociale.
17 korrik, kjo është data që iCal for Mac njoftoi së pari në MacWorld Expo në vitin 2002 dhe që nga atëherë kjo ditë i është rezervuar shënimit të Ditës Botërore të Emoji-t.
Një emoji, përveç që shprehë ndjenjën e emocionit, shkon edhe përtej kësaj, pasi përfaqësojnë gjithçka që është pjesë e jetës.
Për Drinin, që është një adoleshent, emoji thotë shumë:
“Unë du me falënderu zbuluesin e emoji-ve se na i ka lehtësu komunikimin nëpër chat-e. Më ndihmon çdo ditë me shprehë një emocion të cilin ndoshta nuk mundesh me shprehë as me njëqind fjalë kur bisedon online”.
Ndërsa për Tesën, përdorimi i emoji-t, do të thotë kursim kohe:
“Përdorimi i një emoji më kursen kohë. Në vend se të shkruajmë shumë fjalë për me shprehë një emocion, mjafton veç një emotikon”.
Deri në vitin 2017, zyrtarisht ishin 2.666 emoji, të vendosura në listën e Unicode, ajo që merret me standardizimin e piktogrameve në mënyrë që të jenë të dukshme në çdo paijsje dhe çdo sistem operativ.
Për shënimin e Ditës Botërore të Emoji, Twitter tashmë tradicionalisht po organizon edhe garën “World Emoji Awards”, e cila do të shpallë disa çmime për emoji, e kryesori është ‘Emoji i Vitit’.