Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të prezantohet në Muzeun e Artit Modern të New York-ut, falë punës profesionale të fotografit të mirënjohur, Agon Nimani. Ndër fotografitë e shumta të tij ishte pikërisht fotoja e Bibliotekës Kombëtare që u përzgjodh nga kuratorët për të përfaqësuar Kosovën në ekpozitën “Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948 – 1980” (Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980) e cila do të jetë e hapur nga data 15 Korrik deri më 13 Janar 2019.
“Fillimisht ideja ka qenë prezantimi i objekteve të cilat janë krijuar gjatë kohës së ish-Jugosllavisë d.m.th. nga viti 1940 deri në vitin 1980, dhe kuratorët kryesor kanë dashur t’i marrin të gjitha këto objektet që janë bërë nga arkitektë të famshëm të asaj kohe, t’i ekspozojnë në ekspozitën që mbahet në Muzeun prestigjioz të New York-ut ‘MoMA’.”
Kështu u shpreh Agon Nimani i cili dha intervistë ekskluzive enkas për Radion tonë. Më tutje ai shpjegoi:
“Pas rishikimit të fotografive të mija, më kanë kontaktuar edhe kanë pasur dëshirë që unë të marr pjesë me fotografinë time që është nga ajri, d.m.th. shihen ato kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, që është një pamje, një perspektivë krejt tjetër nga ajo çka jemi mësuar të shohim. Fotografia ime u botua edhe në katalogun prestigjioz që shpërndahet në gjithë botën.”
Suksesi i fotografit Agon Nimani duhet të jetë një shembull i mirë për të gjithë të rinjtë dhe artistët se edhe në Kosovë mund të krijohet arti i mirëfilltë, që do të shpërblehet një ditë.
Mu për këtë ne morëm edhe një mesazh nga z.Nimani:
“I kisha inkurajuar të gjithë që me vullnetin më të madh të punojnë edhe në vendin e tyre dhe t’ju tregojnë botës që edhe ne mundemi të bëjmë diçka që do të ketë sukses në mbarë botën.”