Për herë të parë testimi i armëve bërthamore filloi më 16 korrik 1945 dhe nga ajo kohë, rreth 2.000 testime kanë ndodhur tashmë. Fillimisht, amët bërthamore u panë si masë e sofistikimit shkencor apo fuqisë ushtarake, por pa marrë parasysh efektet shkatërruese të testimit të tyrë ne jetën njerëzore dhe rreziqet e pasojat atmosferike.
Tashmë është e dëshmuar se testimet e armëve nukleare lënë pasoja të pashlyeshme në planet duke e shkatërruar atë, duke shtuar këtu edhe zhvillimin teknologjik i cili ka bërë që armët nukleare sot, të jetë shumë më të fuqishme dhe më shkatërruese se në fillet e tyre.
Andaj, tragjeditë njerëzore dhe mjedisore që janë rezultat i testimit bërthamor janë arsye bindëse për nevojën e Ditës Ndërkombëtare kundër Testeve Bërthamore, ditë kjo që përmes ngjarjeve, aktiviteteve dhe mesazheve edukative, synon të rrisë vetëdijën dhe të shfaqë nevojën për përpjekje të unifikuara për të parandaluar testimin e armëve bërthamore.
Më 2 dhjetor 2009, në sesionin e 64-të, Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e shpalli 29 gushtin Ditë Ndërkombëtare kundër Testeve Bërthamore duke miratuar njëzëri rezolutën 64/35.
Kjo rezolutë bën thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit “në lidhje me efektet e shpërthimeve të testit të armëve bërthamore ose ndonjë shpërthimi tjetër bërthamor dhe nevojën për ndërprerjen e tyre si një nga mjetet për arritjen e qëllimit të një bote pa armë bërthamore”.
2010 ishte viti që inauguroi Ditën Ndërkombëtare kundër Testeve Bërthamore, dhe që nga ai vit, çdo 29 gusht, në mbarë botën mbahen aktivitete të ndryshme, si simpoziume, konferenca, ekspozita, gara, botime, ligjërata në institucionet akademike, transmetimet mediale dhe iniciativa të tjera.