Në vitin 1989, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së bëri thirrje për ta shënuar këtë ditë si një mënyrë për të promovuar një kulturë globale të ndërgjegjësimit ndaj rrezikut dhe reduktimit të katastrofave, kurse në vitin 2009, datën 13 Tetor, e vendosi si ‘Dita Ndërkombëtare për Zvogëlimin e Rreziqeve nga Katastrofat.’
Derisa e gjithë bota përgatitet dhe bënë parandalimin e katastrofave, larg kësaj përpjekjeje nuk është as Kosova.
Pikërisht për këtë arsye Radio KFOR-I, kontaktoi shefin e sektorit për planifikim dhe ushtrimeve në gatishmëri emergjente në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME), Nehat Koçinaj.
Zotri Koçinaj, tregoi se agjencia ku ai punon ndërmerr veprime në gjithë ciklin e menaxhimit emergjent, që nënkupton fazën e parë të saj, ku parandalimi brenda saj është edhe zvogëlimi i rrezikut nga të gjitha fatkeqësitë natyrore dhe nga faktori njeri.
Dita Ndërkombëtare për Zvogëlimin të Rreziqeve nga Katastrofat ,shënohet për t’i vetëdijësuar njerëzit dhe komunitetet në mbarë botën, për të reduktuar ekspozimin e tyre ndaj fatkeqësive.
Fare në fund, nga Zotri Koçinaj ne morëm edhe një mesazh drejtuar dëgjuesve tanë, në qoftë se ballafaqohen me ndonjë fatkeqësi: “I pari udhëzim është ky, që në fakt është universal , që njeriu duhet të ndërmerr masa për të mbrojtur jetën e vet, fillimisht duhet të kujdeset për sigurinë e tij, e më pas duhet të kujdeset për sigurinë e të tjerëve përreth, por për të gjitha të tjerat, masat i merr institucioni përgjegjës dhe qytetari duhet t’i drejtohet institucionit përmes numrave komunikues në raste të incidenteve ose emergjencave dhe për të gjitha llojet e emergjencave është numri 112, i cili është falas dhe operon 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, gjatë gjithë kohës operativ për qytetarin e Kosovës.”