‘Dita e Evropës’ është një festë vjetore e bashkimit dhe paqes në Evropë. Data 9 Maj, shënon përvjetorin e deklaratës historike të ministrit të jashtëm të Francës, Robert Schuman, i cili prezantoi propozimin e tij për krijimin e një Evrope të organizuar, për të ndihmuar në mirëmbajtjen e marrëdhënieve paqësore midis vendeve evropiane. Ky propozim, i njohur si ‘Deklarata Schuman’, konsiderohet të jetë akti që krijoi ‘Bashkimin Evropian’. Qëllimi i Bashkimit Evropian është që të promovojnë paqe, barazi, siguri dhe mirëqenie për qytetarët e 27 shteteve anëtare, duke ndihmuar edhe vendet tjera në botë në shumë aspekte.
Radio KFOR-i për nder të kësaj dite ka zhvilluar një intervistë me zëdhënësen për media nga zyra e ‘Bashkimit Evropian’ në Kosovë, Dinka Zivalj, e cila tregoi për aktivitetet e parapara që organizohen për nder të kësaj dite: “Duke respektuar masat shëndetësore të paraqitura nga autoritetet e Kosovës për shkak të ‘COVID 19’, zyra e BE-së në Kosovë ka organizuar këtë vit një sërë aktivitetesh për të festuar ‘Ditën e Evropës’, nga shtëpitë tona. Aktivitetet do të transmetohen në internet përmes platformave të mediave sociale: në faqen e ‘Bashkimit Evropian’, në Kosovë në Facebook dhe faqen e ‘Shtëpisë së Evropës’, po ashtu në Facebook. Disa nga programet do të transmetohen edhe në kanalet televizive. Aktivitetet do të fillojnë sot, më 9 maj dhe do të zgjasin deri më 15 maj 2020, duke synuar grup mosha të ndryshme.”
Zonja Zivalj, po ashtu tregoi më tej se do të ndajnë edhe çmimin vjetor “Evropiani i Vitit”. ‘Bashkimi Evropian’ në Kosovë i jep këtë çmim një individi / institucioni që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të kaluar. Këtë vit çmimi do t’u ndahet njerëzve që dhanë kontribut të rëndësishëm në luftimin e ‘COVID-19’.
Aktivitete të tjera që do të përfshihen me rastin e ‘Ditës së Evropës’, janë edhe performanca të artistëve shqiptarë dhe serb. Do të ketë një performancë pianistja e njohur, Ardita Statovci. Po ashtu qytetarët do të kenë mundësi të ushtrojnë nga shtëpitë e tyre me kampionin në kikboks, Aleksandar Vukosavljević dhe një klasë yoga me mësuesen Floriana Bajrami. Aktivitetet përfshijnë edhe një duet nga sopranoja Arta Jashari & Piero Mazzocchetti, pastaj një performancë në kitarë nga Petrit Çeku dhe do të këndojnë live edhe Dafina Zeqiri dhe bendi ‘Sytë’.
Për të mësuar më shumë rreth orës së saktë për të gjitha këto aktivitete, ju mund të njiheni përmes faqes zyrtare të Bashkimit Evropian në Kosovë, në Facebook: ‘European Union Kosovo’.