Ka tri ditë që Komuna e Kamenicës po përballet me zjarre në pyjet e fshatrave Meshinë, Svircë dhe Lajqiq. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, njësia e zjarrfikësve ende nuk ka arritur të ndalojë zjarrin, andaj kanë kërkuar ndihmë nga qytetarët.
Komandanti i Stacionit të Zjarrfikësve në Kamenicë, Riza Bunjaku, përmes frekuencave të Radio KFOR-it, bëri apel:
“Unë apeloj tek të gjithë qytetarët të Komunës së Kamenicës, pa dallim, që të jenë bashkëpunues dhe koordinues me Njësinë e Zjarrfikësve dhe të Shpëtimit, ta mbrojmë natyrën dhe ta mbrojmë shkatërrimin masiv që është duke iu bërë pyjeve të komunës sonë. Këtë mund ta bëjnë në mënyra të ndryshme. Së pari, sa më shpejt ta thërrasin 112, ta lajmërojnë gjendjen, por edhe në forma vullnetare të na bashkëngjiten, për shkak se resurset teknike nuk mund t’i përdorim në territorin që e ka komuna pyjore. Neve na duhen resurse njerëzore që bashkërisht me njësinë profesionale ta ndërpresim vatrën dhe të mos digjen dhjetëra e qindra hektarë të pyjeve”.
Apel për kujdes të shtuar ndaj kësaj situate ka bërë edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani:
“Ne vazhdojmë t’i thërrasim të gjithë njerëzit që të kenë kujdes maksimal, në asnjë formë të mos hapin zjarre. Policia e Kosovës me të gjitha njësitë, do të jetë vigjilent në terren, do të bisedojë me njerëz që t’i këshillojmë dhe bashkë me ta të preventojmë çka është e mundur, në mënyrë që ta ruajmë ambientin, sepse përveç rreziqeve të mëdha, e dëmeve të mëdha, është edhe dëmtim i ambientit dhe shkakton probleme shëndetësore”, tha Hashani për Radio KFOR-in.
Duke mbrojtur pyjet, kontribuojmë për një ambient më të mirë!