Me qëllim të shtimit të vetëdijesimit të sigurisë në trafik, Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, ka realizuar projektin “Zebra shumëngjyrëshe”. Meqë rrugët më të frekuentuara nga nxënësit dhe automjetet në qytetin e Prizrenit janë ato në afërsi të Shkollave fillore dhe të mesme të ulëta “Mustafa Bakiu” dhe “Emin Duraku” si dhe shkollës së mesme “Remzi Ademaj”, aty pranë zebrat janë ngjyrosur me ngjyra të ndryshme. Për të mësuar më shumë rreth këtij projekti, Radio KFOR-i kontaktoi koordinatorin e organizatës “Ec më ndryshe”, Valon Xhabali:
“Me këto vijat ngjyra-ngjyra apo shumëngjyrëshe, jemi munduar që të tërheqim vëmendjen e vozitësve por edhe të nxënësve, me qëllim që të jetë më atraktive për nxënësit dhe të kalohet vetëm në këto hapësira. Ne e vlerësojmë jetën e njerriut, e duke e ditur se kohëve të fundit sidomos gjatë vitit 2018 ka pasur shumë aksidente edhe në vijat e bardha dhe për fat të keq ka pasur raste që edhe kanë ndërruar edhe jetë, mesazhi kryesorë është që vozitësit të kenë shumë kujdes, t’i japin përparësi këmbësorëve, sidomos në afërsi të shkollave, por në të njejtën kohë është edhe një apel për nxënësit që të kenë kujdes se ku e kalojnë rrugën.”