Në ‘Pyllin e Arinjve Prishtina’, ka filluar kampi i të rinjëve me vullnetarë nga Evropa dhe nga vendi. Ky kamp është organizuar në bashkëpunim me ‘European Voluntary Service’ dhe është mbështetur financiarisht nga Erasmus +.
Të rinj nga Polonia, Sllovenia, Spanja, Anglia dhe vende të ndryshme vijnë për herë të parë në Kosovë për të qenë pjesë e këtij kampi me vullnetarë të tjerë vendor.
Përgjegjësi për aktivitete në ‘Pyllin e Arinjve Prishtina’, Jeton Hetemaj, në një bisedë me Radio KFOR-in, tregoi më shumë për aktivitetet që do të organizohen në këtë kamp:
“Ky kamp është një kamp për të rritur nga mosha 18 deri 30 vjet nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Kemi 12 vullnetarë të cilët vijnë nga nga shtatë vende të ndryshme, kombësi të ndryshme, ndërsa 3 janë nga Kosova. Gjatë këtyre ditëve, pjesmarrësit do të përfshihen në aktivitete të ndryshme, që përfshijnë mirëmbajtjen e ‘Pyllit dhe Arinjve’, diskutime rreth mbrojtjes së kafshëve, vëzhgim të arinjve dhe mbledhjen e pemëve. Vullnetarët po ashtu, do të vizitojnë vende të ndryshme në Kosovë, me qëllim që pjesmarrësit ta njohin më mirë Kosovën dhe kulturën”, tregoi Jetoni.
Ky kamp veror sipas Jetonit, po ashtu është një mundësi për të shkëmbyer përvoja të vendeve të ndryshme dhe pjesmarrësit të mësojnë për kulturat e njëri-tjetrit. Kampi do të zgjasë deri me 9 shtator të këtij viti.