“Ne nuk e përdorim fjalën multietnicitet, por themi komuniteti i natyrës sepse natyra nuk njeh etni, fe apo dallime të tjera, e qëllimi ynë është që t’u japim kuptim ecjeve teksa shoqërohemi me të gjithë”, kështu u shpreh për Radio KFOR-in, kryetari i Klubit Alpin Prishtina (KAP), z. Nazmi Hasanramaj, teksa tregoi edhe agjendën e ngjeshur që kanë si klub, përgjatë stinës së vjeshtës, ku pjesë e këtyre aktiviteteve mund të jenë të gjithë: “Vjeshta, është një prej stinëve që ofron shumë bukuri teksa i realizojmë aktivitetet, ku temperaturat janë të përballueshme, ngjyrat janë të mira, ka edhe fruta të ndryshëm…, e të gjitha këto na mundësojnë që përgjatë vjeshtës të realizojmë ecje që janë shumë të përshtatshme për të gjithë. Një prej komponentëve që kisha dashtë me e theksu sot, e që është ndër kryesoret e aktiviteteve tona, veç sportit e shijimit të natyrës, është socializimi i të rinjve në natyrë. Ky është një nga caqet e KAP, andaj po organizojmë aktivitete me grupe të shumta dhe të ndryshme. Aktivitetet e këtyre muajve, para se të bie borë, janë kryesisht aktivitete me ecje më të shkurtra të cilat i realizojmë në pyje, jo në maje shumë të larta dhe gjithsesi që gjithë programi është i publikuar në faqen e Facebook-ut, të KAP.”
Siç na njoftoi gjithashtu z. Hasanramaj, Klubi në planin e tij vjetor, organizon aktivitete që u përshtaten stinëve, ndërsa kanë menduar edhe për kolektivet të cilat nuk munden me ju bashku ecjeve të rregullta të klubit, të njëjtat munden që në formë të organizuar të realizojnë ecje, e këtë ua mundëson programi i veçantë në kuadër të klubit.