Sonte (09.10.20), duke filluar nga ora 20:30, do të mbahet koncerti i tretë me radhë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Vokale, në Prishtinë.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin e këtij Festivali, Hajrullah Syla, i cili ka treguar se kush do të performojë në koncertin e sotëm si dhe ka dhënë detaje të tjera në lidhje me këtë Festival: “Sonte e kemi koncertin e tretë, ku do të jetë një ndarje në mes të dy ansambleve. Ansambli ‘Zanat’, do ta sjellin një program mjaft interesant të përpunimit të këngëve popullore, të cilat janë përpunuar nga kompozitorë tanë, enkas për këtë Festival. Ky ansambël do të shoqërohet nga dy instrumentistë, Astrit Stafaj në kitarë dhe Edon Ramadani në piano. Pas tyre, do të jetë Ansambli ‘ATTACCA’, të cilët po ashtu do të ofrojnë një program të këndshëm për dëgjuesit. Në këtë edicion të këtij Festivali kemi pasur gjithsej katër koncerte, të cilat janë shfaqur në platformat online, si Facebook dhe Youtube, për shkak të situatës në të cilën gjendemi.”
Edicioni i tretë me radhë i këtij Festivali do të përmbyllet nesër (10.10.20), me një koncert nga Soprano, Adelina Paloja, e cila do të shoqërohet nga Lirika Pula Kasapolli në piano.