Fondacioni humanitar ‘Action for Mothers and Children’, përgjatë muajit maj ka filluar partneritetin me organizatën ndërkombëtare UNICEF – programi në Kosovë, për të ofruar vizita në shtëpi të cilat janë pjesë e programit që dërgon shërbime shëndetësore në shtëpi për familje me qasje të kufizuar në shërbime shëndetësore. Programi në fjalë siguron këshillim mbi çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin, duke përfshirë imunizimin, ushqyerjen me gji, edukimin për familjet në nevojë, etj.
Zyrtarja e Fondacionit humanitar Action for Mothers and Children, Albiona Beselica Beha, në një prononcim për Radio KFOR-in e vlerësoi shumë një bashkëpunim të tillë: “Jemi të lumtur që kemi filluar bashkëpunimin me Programin e UNICEF-it në Kosovë dhe jemi mirënjohës për besimin e dhënë për të punuar së bashku për zgjerimin e programit të vizitave shtëpiake në 15 komuna shtesë dhe për zhvillimin e udhëzimeve dhe rekomandive rreth ushqyerjes së fëmijëve për shkollat në Kosovë. Udhëzimet e të ushqyerit për shkollat, synojnë adresimin e çështjeve shqetësuese të kequshqyerjes dhe obezitetit në shkolla.”
Programi i vizitave në shtëpi drejtohet nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë.