Një pranverë shumëngjyrëshe na pret përgjatë 2021. Janë trendet e fundit që i janë shtuar modës e që do t’i shohim shpesh rrugëve përgjatë stinës. Por se çfarë do të dominojë në stilet e veshjeve të kësaj stine, për Radio KFOR-in ka treguar disenjatorja kosovare, Venera Mustafa: “Sa i përket veshjeve, vitin që e kemi lënë pas, ishin në përdorim jashtëzakonisht shumë çantat e vogla dhe veshjet e stilit të vitit 2000. Ndërsa këtë vit, moda ka kaluar në vitet 70-ta. Modele me thurje ‘chunky’, nga veshjet e mëngjesit deri tek xhaketat e gjera dhe të gjata si dhe të gjitha rrobat e thurura do të jenë jashtëzakonisht të përhapura. Veshjet transparente do të jenë të domosdoshme për këtë vit. Sa i përket ngjyrave, do të jenë trendi e verdha e butë, portokalli, rozë, një lloj neoni në të verdhë dhe jeshile. Padyshim edhe zeza do të jetë trend edhe këtë vit.”
Ngjyra e zezë, e cila është pjesë e trendeve të të gjitha sezoneve e viteve, do të jenë shumë në shprehje edhe përgjatë pranverës së 2021-ës, mirëpo edhe shtëpitë botërore të modës, kanë sugjeruar që ngjyra e zezë do të dominojë në maskat e fytyrës, të cilat vazhdojnë në jenë obligative në shumë vende të botës, si një nga masat për të frenuar shpërndarjen e CoViD-19.