Kompania e Turizimit “Balkan Natural Adventure”, është përkujdesur që këtë vikend, ta bëjë akoma më atraktiv për adhuruesit e natyrës, duke ju ofruar adrenalinën që sjell ‘Via Ferrata’ dhe lëshimi me ‘Zip Line’, i cili do të monitorohet nga instruktorët e kësaj kompanie.
Radio KFOR-i ka kontaktuar bashkëpronarin në Kompaninë ‘Balkan Natural Adventure’, Nol Krasniqi, i cili ka treguar më shumë për organizimin e këtyre eventeve: “Via Ferrata duket e rrezikshme dhe e vështirë për t’u realizuar, por në fakt është shumë e lehtë. Të interesuarit që duan të bashkohen, mjafton të jenë në gjendje të mirë shëndetësore. Nëse dikush mundet me ec gjysmë ore, mundet me praktiku edhe ‘Via Ferratën,’ pa problem. Via Ferrata është bërë për njerëz që nuk kanë përvojë, që t’i bëjmë ata të ndihen si alpinistë të vërtetë për 2 ose 3 orë. Këto evente janë të hapura për të gjithë njerëzit në Kosovë, pa dallim gjinie apo komuniteti.”
Takimi për këto evente do të bëhet të shtunën, më 27 qershor dhe të dielën, më 28 qershor, prej orës 10:30, në ‘Vizitor Center’ në Pejë, afër Patrikanës, ku më pas do të ketë transport deri te pika e nisjes. Të interesuarit duhet të kenë me vete rroba që i lejojnë të lëvizin lirshëm, ujë dhe këpucë sportive. ‘Via Ferrata’ ka çmimin prej 15 eurove për person, ndërsa ‘Zip Line’ ka çmimin prej 10 eurove. Guida dhe të gjitha pajisjet e nevojshme përfshihen në çmim.