Javëve të fundit, Kosova ka shënuar rënie të të prekurve me virusin ‘Covid-19’, sipas njoftimeve të institucioneve shëndetësore. Megjithatë, një gjë e tillë nuk nënkupton se kujdesi ndaj përhapjes së pandemisë duhet të jetë më i vogël.
Infektologu Arben Vishaj, në një intervistë dhënë Radio KFOR-it, ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët, pa dallim, që të vazhdojnë të respektojnë rekomandimet kyçe të institucioneve shëndetësore në vend, për mbrojtje nga pandemia ‘Covid-19’, siç është bartja e maskës, mbajtja e distancës fizike prej dy metrave dhe mbajtja e higjienës personale dhe më tej ai shtoi: “Çdo rekomandim që del nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duhet të respektohet në përpikëri nga çdo qytetar i vendit tonë. Kjo është për të mirën e familjeve tona dhe njerëzve përreth.”
Sa i përket bartjes së maskës, Dr. Vishaj, tha se qytetarët mund të përdorin edhe maska, të cilat nuk janë mjekësore, mjafton që ato të vendosen në mënyrën e duhur, duke mbuluar gojën dhe hundën: “Maskat ndryshojnë varësisht se për çfarë destinacioni përdoren. Maskat spitalore po përdoren vetëm nga stafi mjekësor në trajtimin e pacientëve me Kovid, ndërsa maskat për qytetarë janë edhe tjera, mund të përdoren edhe maska të cilat nuk janë mjekësore, por që kanë ndikim në parandalimin e përhapjes së pandemisë.”