Vera e vitit 2020, nuk e gjeti botën ashtu si në sezonet verore të viteve të shkuara. Qysh në momentin kur OBSH e shpalli virusin ‘CoViD-19’ pandemi globale, bota që njihnim dikur, do të ndryshonte po thuajse në të gjitha aspektet. Një fushë që është prekur shumë nga pandemia, është edhe turizmi, ku vendet turistike në të gjithë botën, vendosën masa parandaluese në mënyrë që të frenonin përhapjen e shpejtë të korona virusit. Edhe të rinjtë, për dallim nga vitet e shkuara, pushimet verore në 2020-ën i ‘shijuan’ ndryshe, kështu ka treguar për Radio KFOR-in, një qytetar, z. Agon Vitia: “Këtë vit pushimet kanë qenë shumë më ndryshe. Unë kam preferu me i kalu disa ditë në bregdet edhe kam kalu mjaft mirë, kam marrë energji edhe disi ka qenë një rifreskim i trupit dhe mendjes. Sidoqoftë, gjithmonë jemi kujdesur që t’i respektojmë të gjitha masat dhe rekomandimet për tu mbrojtur nga virusi Covid-19 dhe shfrytëzoj mundësinë t’i bëj thirrje të gjithë të rinjve që sivjet po i bëjnë pushimet në rrethana pandemie, t’i respektojnë udhëzimet e institucioneve shëndetësore sepse është e mundur edhe të bëhen pushime edhe të mbrohemi nga pandemia.”
Me gjithë masat të cilat kanë limituar dhe ndryshuar përditshmërinë tonë, qytetarja tjetër znj. Vlera Pllana, për Radio KFOR-in thotë se e mira qëndron në faktin se kemi pasur mundësi të kalojmë shumë më shumë kohë me familjen: “Pushtimet verore, këtë verë kanë qenë më ndryshe nga vitet e shkuara. Duke marr parasysh situatën pandemike në vend, nuk kemi pasur mundësi të shumta që të dalim, mirëpo koha që kemi kaluar me familje, ka qenë pjesa më e mirë gjatë këtyre muajve të verës.”
Pavarësisht që ne nuk e dimë edhe për sa kohë bota jonë do të përballet me ‘CoViD-19’, mos harroni që asgjë nuk zgjat përgjithmonë, e përgjithmonë nuk do të zgjasë as korona virusi. Prandaj, respektoni masat për ndalimin e përhapjes së virusit, pasi vetëm kështu mund ta mposhtim së bashku pandeminë.