Rrezet e diellit, temperaturat e ngrohta dhe rihapja graduale e parqeve, shtigjeve dhe restoranteve me shtrojë trotuaresh po na tërheq që të dalim jashtë shtëpive tona dhe të frekuentojmë këto hapësira, pas disa javësh urdhrash qëndrimi në shtëpi që synojnë të ndalojnë përhapjen e COVID-19.
Drejtori i Departamentit të Informimit në Ministri të Shëndetësisë, z. Faik Hoti, në një prononcim për Radio KFOR-in, sërish tërhoqi vërejtën për kujdes të shtuar në këtë aspekt: “Është i pa tolerueshëm fakti se qytetarët gjithnjë e më pak po bartin maska dhe masat tjera mbrojtëse kundër virusit Corona. Unë sërish apeloj tek të gjithë, sidomos për ata që aktualisht po bëjnë pushimet e tyre në det apo të tjerët që planifikojnë të shkojnë, që të mundohen të mbajnë distancën fizike dhe higjienën personale.”
Ekspertët e sëmundjes infektive nuk presin që temperaturat e verës të bëjnë që pandemia të largohet. Një studim i botuar më 8 maj 2020, në ‘Revistën e Shoqatës Mjekësore Kanadeze’ analizoi përhapjen e korona virusit në të gjithë globin dhe zbuloi se temperaturat kishin shumë pak ndikim në transmetim.