Regjisori dhe njëherit një nga themeluesit e filmave të animuar ‘Tom dhe Jerry’, Gene Deitch, ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeç. Ilustruesi i cili ishte edhe fitues i çmimit OSCAR, vdiq të enjten (16.04.20), natën në banesën e tij në Pragë, mirëpo shkaqet nuk dihen ende, ndërsa lajmi u bë i ditur për media ditën e djeshme (19.04.20). Lajmin për vdekjen e të ndjerit, Deitch, e konfirmoi botuesi i tij çek, Petr Himmel, për Associated Press, ku shpjegoi se ylli vdiq papritur, pa dhënë detaje të tjera.
Gene, emri i plotë i të cilit ishte Eugene Merrill Deitch, ishte i njohur edhe për krijimin e karikaturave të animuara si Munro, Tom Terrific, Nudnik dhe Marinari Popeye.
Pas lajmit për vdekjen e tij, fansat e filmave të tij të animuar, kanë shprehur keqardhjet e tyre në internet, duke falënderuar atë për ‘Krijimin e këtyre filmave’, që ua ka zbukuruar fëmijërinë e tyre.