Furgoni që udhëton anembanë Kosovës e që ju mundëson dashamirësve të filmave shikimin e dokumentarëve dhe filmave të ndryshëm vetëm me ndihmën e rrezeve te diellit, vazhdon rrugëtimin e tij. Më 20 qershor, në bashkëpunim me ‘7 Arte’, shfaqjet do të prezantohen në Mitrovicë (Kej, tek Ura e Ibrit), më pas të nesërmen (21 qershor), në bashkëpunim me Anibar, furgoni do të udhëtojë për në Pejë (Platoja para Teatrit Istref Begolli), kurse më 22 qershor, do të vazhdoj në Prizren (Ortakoll, Parku te Bunkeri). Kjo kinema e organizuar nga ‘Balkan Green Foundation’ (BGF) në bashkëpunim me DokuFest, ofron eksperiencë unike të të shikuarit të filmave në ambiente të hapura. Filmi që do të shfaqet është Rafea: Solar Mama, ndërsa të gjitha shfaqjet fillojnë në ora 21:00.
Ky organizim bëhet me qëllim të rritjes së vetëdijes mbi rëndësinë e shfrytëzimit të burimeve të energjisë së ripërtëritshme dhe me qëllim që të nxisin përdorimin e teknologjive dhe ideve të reja për prodhimin e energjisë elektrike nga vetë këto burime.