Me moton “Të rinjtë me një të ardhme më të mirë”, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka realizuar kohë më parë kampin tre-ditor për të rinjtë, i cili ka mbështetur dy Komitete Lokale të Sigurisë Publike (KLSP).
Aktiviteti kishte për qëllim promovimin e marrëdhënieve multi-etnike dhe rritjen e bashkëpunimit midis të rinjve të etnive të ndryshme dhe njëkohësisht promovimin e rolit të KLSP-ve në komunat përkatëse dhe asistimin e tyre në krijimin e lidhjeve me Policinë e Kosovës, me qëllim të zvogëlimit të krimit dhe përmirësimit të sigurisë në bashkësi.
Detaje më të hollësishme përkitazi me këto aktivitete dhe porosinë që bartin ato, na tregon Erduan Gjigolli – Asistent i Programit të Lartë ne OSBE.
“Përmes porosisë së këtij kampi multi-etnik “Të rinjtë për një të ardhme më të mirë” ne mëtojmë që të vazhdojmë komunikimin dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm në bashkësitë përkatëse për të kontribuar në krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë banorët dhe etnitë që jetojnë në Kosovë. Aktivitetet e ndryshme argëtuese ishin gjithashtu pjesë e agjendës së kampit, e cila mundësoi që pjesëmarrësit të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe të krijojnë miqësi të reja në një mjedis relaksues”, pohoi për Radio KFOR-in, z.Gjigolli.
Ky aktivitet mblodhi 46 pjesëmarrës, të përbërë nga nxënës të shkollave të mesme nga komunitetet shqiptare, serbe dhe rome, anëtarët e KLSP-ve nga komuna e Obiliqit dhe Skenderajt dhe gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit e rinj mësuan për avokimin, mirëkuptimin, aftësitë e negocimit dhe rëndësinë e dialogut ndër-etnik, si dhe u njohën me pasojat e konsumit të paligjshëm të narkotikëve.
OSBE-ja parasheh që të vazhdoj me promovimin e bashkëpunimit në mes të të rinjve edhe në të ardhmen përmes aktiviteteve të ndryshme, përkatësisht përmes 2 kampeve të tjera rinore me përfaqësuesit nga lokalitete të ndryshme nga e mbarë Kosova.