Për shkak të gjendjes së rënduar, si pasojë e Virusit Covid-19, Qeveria e Kosovës mori masa të reja, të cilat janë në fuqi që nga 30 gushti, duke përfshirë orën policore e cila fillon prej orës 22:00 deri në ora 05:00, vendosjen e maskave, mbylljen e bibliotekave, kinemave, qendrave rinore dhe muzeve, masa të reja për operatorët e transportit rrugor si dhe për lokalet e gastronomisë, ku shërbimi i ushqimit dhe pijeve lejohet vetëm në hapësirat e hapura.
Nga ana tjetër, duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës në vazhdimësi ka realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa.
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun pranë Policisë së Kosovës, për Radio KFOR-in tregoi më konkretisht rreth gjobave që ka shqiptuar Policia e Kosovës gjatë ditëve të fundit: ”Gjobat për personat fizik, qytetarët dhe gjobat për personat juridik, lokalet janë këto: Më 30 gusht janë shqiptuar 2479, më 31 gusht 3981, më 1 shtator 4263, më 2 shtator 4237, më 3 shtator 3081, më 4 shtator 2392 dhe më 5 shtator janë shqiptuar 2223 gjoba. Kurse, vërejtjet që janë shkruar janë; për datën 30 gusht ishin 411, më 31 është 1348, më 1 shtator është 1433, më 2 shtator janë 1445, me 3 shtator 1212, më 4 shtator 900 dhe më 5 shtator janë 751 vërejtje.”
Policia e Kosovës dhe institucionet gjegjëse apelojnë tek të gjithë qytetarët që t’u përmbahen rregullave dhe t’i respektojnë masat anti-COVID – 19