Ambasadat e Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës së bashku me partnerë të shumtë, kanë hapur këtë javë në Kosovë ‘Ditët e gjuhës gjermane’.
Deri më 26 qershor të këtij viti, do të zhvillohen aktivitete të shumta, të gjitha rreth gjuhës gjermane, ku do të shfaqen filma gjermanofolës nga Gjermania, Austria e Zvicra nën qiellin e hapur dhe në Autokino si dhe një piknik letrar, në të cilin mund të merr pjesë secili.
Me rastin e hapjes së ‘Ditëve të gjuhës gjermane’, Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, në një komunikatë për media, ka treguar për rëndësinë e këtyre aktiviteteve: “Gjuha gjermane po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme edhe për ekonominë në Kosovë dhe marrëdhëniet ekonomike me rajonin gjermano folës dhe me këtë edhe për perspektivën profesionale në Kosovë.”
Në Universitetin e Prishtinës, po ashtu do të prezantohet programi i ri “Gjermanishtja si gjuhë e huaj”. Përveç kësaj, do të mbahet edhe një sesion informues virtual rreth studimeve dhe kërkimeve shkencore në rajonin gjermano folës si dhe një tryezë diskutimi lidhur me rëndësinë e gjuhës gjermane në punësim dhe marrëdhëniet ekonomike me rajonin gjermano folës.
Radio KFOR-i, për nder të ditëve të gjuhës gjermane, do të transmetojë kohë pas kohe, këngë në gjuhën gjermane, gjatë emisioneve të ndryshme.