Organizata ‘Let’s Do it Kosova’, është duke vazhduar me aksionet e pastrimit në vende të ndryshme të qyteteve të Kosovës. Shumë lokacione janë duke u pastruar në kuadër të ‘Javës së Tokës’, që ka filluar më 19 dhe përfundon këtë vikend, më 27 prill 2019. Sot (25.04.19), aksion pastrimi do të organizohet në lagjen Pejton, në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze por edhe me ambasadat tjera që janë të stacionuara në këtë lagje, me banorë të lagjes, biznese, lokale dhe vullnetarë të tjerë.
Nesër, më 26 prill, organizatori do të shpall tri shkolla përfituese të grantit, në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor”. Ky grant është pjesë e fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, të vitit të kaluar. Në po të njëjtën datë, më 26 prill do të bëhet edhe shpërndarja e 500 shportave dhe 500 kontejnerëve për komunat përfituese, si rezultat i angazhimit të tyre në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, pastrime të përfunduara vitin e kaluar, gjatë periudhës 15 shtator – 15 dhjetor 2018. Me datën 27 prill është planifikuar mbjellja dhe aksion pastrimi edhe në fshatin Drenoc të komunës së Deçanit. Aksioni fillon në ora 11:00, ndërsa nisja e vullnetarëve bëhet nga zyra e ‘Let’s Do it Kosovo’, në Pejton në ora 09:00.