Vaksinimi kundër gripit është veçanërisht i rëndësishëm për personat e moshuar. Ndërsa trupi plaket, sistemi imunitar dobësohet dhe mund të jetë më e vështirë për të luftuar infeksionet. Prandaj, shumë lehtë merren sëmundjet si gripi, pneumonia etj.
Për të ditur më shumë për rëndësinë e vaksinimit kundër gripit, Radio KFOR-i kontaktoi Dr. Sami Uka, njëherit edhe Kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, i cili theksoi: “Vaksinimi kundër gripit është i rëndësishëm jo vetëm për moshën e shtyrë, por edhe për gratë shtatzëna dhe për punëtorët shëndetësorë, të cilët janë në vijën e parë të fronit. Pra, vaksinimi kundër gripit sezonal, është jashtëzakonisht i rëndësishëm sidomos tani me praninë e pandemisë, e cila e ngatërron pasqyrën klinike me pasqyrën klinike të gripit sezonal.”
Vaksinimi sezonal kundër gripit, mund të parandalojë temperaturën e lartë, dhimbjet e muskujve, kyçeve dhe humbjen e oreksit.