Situata aktuale me Covid-19, mund të konsiderohet e qetë sa i përket infektimeve me Covid-19, megjithatë javëve të fundit në Kosovë ka pasur raste të reja në pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës. Mos zbatimi i masave anti-covid dhe mungesa e vaksinimit, ka sjellë infektime të reja edhe me variantin Delta, i cili raportohet të jetë më agresiv se variantet e tjera.
Rreth situatës aktuale me Covid-19, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me Drejtorin e Klinikës së Infektives në QKUK, Arben Vishaj, i cili theksoi se situata është stabile por mund të përkeqësohet dhe se vaksinimi është mënyra e vetme e mbrojtjes nga infektimi: “Situata me COVID-19 është e qetë, mirëpo me tendenca të përshkallëzimit në drejtim të rritjes së numrit të pacientëve. Ditëve të fundit kemi rritje të rasteve të të infektuarve, ku ka filluar edhe shfaqja e variantit Delta, që ka një përhapje më të shpejtë se variantet tjera. Për momentin kemi 27 pacientë të diagnostikuar me Covid, prej tyre 3 pacientë janë në gjendje shumë të rëndë dhe kemi 20 pacientë me oksigjeno-terapi.”
Në mënyrë që të mos na përsëriten situata të rënda sipas Dr. Arben Vishaj, zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme është vaksinimi në numër sa më të madh dhe për një kohë sa më të shpejtë i qytetarëve mbi moshën 18 vjeç.