Përderisa dikur shoqëritë kudo në botë, e posaçërisht në Kosovë, luteshin që fëmija i tyre të jetë i gjinisë mashkullore, sot çiftet që planifikojnë zgjerim të familjes, duan që të bëhen prindër të vajzave, të cilat siç pohojnë ata, i japin më shumë hare jetës së tyre.
E hareshme dhe plot ngjyra tashmë i është bërë jeta edhe Valentina Zeqiri-Hasanit dhe Valdet Hasanit, për të cilët mirëqenia, lumturia dhe shëndeti i vajzës së tyre, Kaninës përbënë prioritet për të dy.
“Kam menduar që e njoh lumturinë, mirëpo kisha gabuar, sepse që nga momenti që në krahët e mi kam marrë të voglën time, kam prekur e shijuar lumturinë e vërtetë, atë të qenit nënë, sidomos e një vajze. Të gjithë fëmijët janë engjëj, pa dallim gjinie, mirëpo vajzat dinë të ofrojnë më shumë dashuri, kujdes dhe gëzime. Mendoj se të gjithë prindërit që kanë vajza, janë shumë të bekuar”, theksoi për Radio KFOR-in znj. Valentina.
‘Dita ndërkombëtare e vajzave’ synon të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën në fusha të tilla si, ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, trajtimi, etj.
Sipas fakteve botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tre herë më shumë të keq ushqyera se djemtë, ndërsa në aspektin social vihet re se në botë 1 në çdo 3 vajza është e martuar para moshës 18 vjeç.