Alpinistja kosovare, Uta Ibrahimi sapo është kthyer në Kosovë, pasi ka përfunduar ekspeditën e saj të 11-të me radhë , nga projekti “14 majet e Himalajeve”, që Uta ka për synim t’i përshkojë ato . Në një intervistë për Radio KFOR-in, Uta Ibrahimi ka treguar për sfidat e shumta që ka pasur teksa ka ngjitur majën “Gashurburum 1” (8,058 metra lartësi mbidetare), pjesë e vargmalit Karakorum, në Pakistan, që njëherit ka qenë terren, në të cilin Uta është ngjitur për herë të parë: “Vet qasja së pari nga fshati deri në kampin bazë ka qenë sfiduese, diku 150- 160 kilometra larg, për dallim prej vendeve të tjera, për shembull Nepalit, ku së pari ngjitjen e bën nëpër fshatra e pastaj shkon në kampin bazë, këtu nuk kishte më fshatra. Ngjitja prej kampit bazë deri te maja ka qenë shumë terren i vështirë, diku rreth 5% ka qenë i fiksuar si terren, që ka bërë ngjitje më të vështirë, më sfiduese dhe më të frikshme. Tetë ditë kam qenë larg të gjitha gjërave dhe për një muaj e gjysmë nuk kam pasur komunikim me askënd, ka qenë pak e vështirë, personalisht për mua, por edhe për njerëzit tjerë, familjen edhe shoqërinë, pasi nuk e kanë ditur se ku jam, çfarë jam duke bërë dhe a jam gjallë. I kam pasur disa mesazhe që kam mundur t’i dërgoj, por edhe ato kanë qenë të limituara.”
Me ngjitjen në majën “Gashurburum 1”, Uta Ibrahimi është bërë ballkanasja e parë që shkeli 5 majet me lartësi 8000 metra. Duke treguar se ajo nuk do të ndalet, tregoi se ku gjen motivim dhe fare në fund dha edhe një mesazh për dëgjuesit e Radio KFOR-it: “Përveç që unë kam shumë dëshirë dhe dashni për këtë punë, të ngjitem në male, motivimi im janë edhe njerëzit e mi. Njerëzve ju them që veç fillimi është problem, se pastaj nuk ke me u ndalë më , kështu që veç fillojani çkado që doni të bëni, filloni nga pak, pastaj do ta shihni se gjërat ecin vetë”.
Shumë pak alpinistë kanë arritur suksesin e Uta Ibrahimit, deri më tani një gjë të tillë e kanë realizuar vetëm tri femra nga e gjithë bota.