Së bashku me ngjyrat e bukura që sjell stina e vjeshtës, ajo sjellë edhe netët më të gjata dhe uljen e temperaturave. Ndryshimi i menjëhershëm i temperaturave, ka efekt në trupin tonë duke na bërë më të ndjeshëm ndaj ftohjes ose gripit si dhe mundësi për irritime të tilla siç janë: alergjitë, astma, tharja e lëkurës dhe mungesa e energjisë.
Për të qenë sa më të shëndetshëm dhe të ushqehemi shëndetshëm gjatë kësaj stine, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me nutricionisten Vala Pupovci, e cila ndau disa këshilla për të gjithë, se cilat ushqime duhet të konsumojmë gjatë kësaj stine për të mbrojtur shëndetin dhe për të forcuar imunitetin tonë: “Krahasuar me stinën e verës ku kemi llojshmëri të frutave dhe perimeve, gjatë stinës së vjeshtës kemi më pak dhe njerëzit konsumojnë shumë më pak fruta dhe perime. Por duhet të konsumoni sa më shumë fruta dhe perime çdo ditë siç janë: molla, dardha pastaj kungulli që i përket sezonës së vjeshtës dhe është shumë i shëndetshëm ka sasi të lartë të fibrave dhe vitaminës A, që ndihmon në mbrojtjen e imunitetit. Po ashtu, një ushqim gjatë kësaj kohe për t’u konsumuar janë edhe turshitë të cilat nëse përdoren pa konservans, kanë sasi të lartë të pro biotikëve që ndihmojnë në imunitetin tonë dhe mbrojtjen nga gripi apo ftohja.”
Zonja Vala, shtoi po ashtu se gjellërat e ndryshme me fasule apo lakra, kanë sasi të lartë të fibrave, vitaminave dhe mineraleve dhe janë ideale për t’u konsumuar gjatë kësaj kohe, duke këshilluar që të konsumojmë sa më shumë fruta dhe perime dhe ushqime me bazë bimore dhe të mundoheni të ushqeheni në porcione më të vogla në mënyrë që të parandaloni shtimin në peshë.