Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) e ka përcaktuar vitin 2020 si “Viti i Infermierëve dhe i Mamive”. Dita e sotme “Dita Ndërkombëtare e Mamive”, për herë të parë, u festua më 5 maj të vitit 1991 dhe që nga ajo kohë për të shënuar këtë ditë trajtohen tema të ndryshme vetëdijësuese në mbështetje të mamive, të cilat kujdesen për shëndetin e nënave dhe të sapolindurve të tyre. Kjo është arsyeja pse Asambleja Botërore e Shëndetit ka vendosur që vitin 2020 të shpall si “Vitin Ndërkombëtar të infermierëve dhe të mamive”.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) përmes fushatave të ndryshme po synon të ju kushtojë vëmendje të dukshme dhe autoritare mbi rolin thelbësor të infermierëve në kujdesin shëndetësor, duke ndihmuar në ngritjen e statusit të infermierëve në të gjithë botën.
Në faqen zyrtare të OBSH për këtë ditë, thuhet: “Infermierët dhe mamitë luajnë një rol jetësor në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Këta janë njerëzit që i kushtojnë jetën e tyre për t’u kujdesur për nënat dhe fëmijët, dhënien e imunizimeve shpëtuese dhe këshilla shëndetësore, përkujdesje për të moshuarit dhe përgjithësisht plotësimi i nevojave thelbësore të shëndetit të të tjerëve… Ata shpesh janë pika e parë dhe e vetme e kujdesit në komunitetet e tyre. Bota ka nevojë edhe për 9 milion më shumë infermierë dhe mami, nëse do të arrijë mbulim shëndetësor universal deri në vitin 2030”, kjo është arsyeja pse Asambleja Botërore e Shëndetit ka caktuar vitin 2020 si ‘Viti i infermierëve dhe mamive’, për të nderuar dhe vlerësuar punën e tyre.
Mamitë shpëtojnë miliona jetë çdo vit, duke ofruar shërbime dhe këshillime për të gjitha problemet që mund të hasen tek pacientët dhe një nga mënyrat më të mira për të shënuar “Ditën Ndërkombëtare të Mamive”, është njoftimi për misionin e mamive dhe rolin që luajnë ata në jetën tonë, e sidomos të sjelljes në jetë të një foshnje.