Ëmbëlsi, energji e shije e mirë, të gjitha këto janë arsyeja pse çokollata sot është shija që e duan të gjithë. Duke i njohur vlerat e saja shëndetsore dhe kënaqësinë që sjell shijimi i saj, dita e sotme ‘7 korriku’, i është ndarë shënimit të ‘Ditës Botërore të Çokollatës’. Por çfarë do të thotë çokollata për disa persona që Radio KFOR-i arriti që t’i intervistoj , mund të lexoni në vijim:
“Tung unë jam Lira. Kam dëgju që çokollata për herë të parë në Evropë ka arritë në shek XVI nga popujt e Amerikës Qendrore edhe prej leximeve të mija, e kam parë se sa shumë krijimtari, mirëpo edhe sa e mundimshme ka qenë për njerëzit për të bërë përfitimin e kakaos në atë mënyrë që më pas ta përgatisin çokollatën. Kështu që çokollata për mua përveç se një shije tepër e mirë dhe kënaqësisë që na ofron, është sakrificë edhe kreativitet i njerëzve për të sjellë më shumë embëlsi në botë”.
“Përshëndetje unë jam Dona. Çokollata nuk është gjithçka për mu, është një ushqim që e konsumoj kohë pas kohë edhe e shijoj”.
“Tung unë jam Drini. Sipas do studimeve që i kam lexuar, çokollata i bënë njerëzit të varur dhe kësaj varësie nuk i kam shpëtuar as unë dhe çokollata për mu do të thotë energji, disponim dhe shije e mirë pa të cilën nuk mund ta paramendoj asnjë ditë”.
“Tung unë jam Besa. Në çantën time mundesh me gjetë çdo herë çokollatë”.
Çokollata numëron një sërë të mirash, e madje fshehë edhe shumë kuriozitete si p.sh.: Në të kaluarën çokollata është përdorur si monedhë, çokollata e bardhë, nuk është çokollatë e vërtetë pasi ajo nuk përmban kakao, mund të vdisni nëse hani shumë çokollatë, pasi ajo përmbanë nivele të larta të një stimuluesi të fuqishëm të quajtur ‘theobromine’ dhe bazuar në statistikat botërore, evropianët janë konsumuesit më të mëdhenj të çokollatës, ku sipas Organizatës Ndërkombëtare te Kakaos, evropianët hanë pothuajse gjysmën e gjithë çokollatës që prodhohet në mbarë botën.