Organizata Jo-Qeveritare “Kosova Wildlife Care”, ka filluar së zbatuari iniciativën pozitive për sensibilizimin e masës në mbrojte të natyrës dhe ambientit ku jetojmë, pastrimin e hapësirës për rreth Ujëvarave të Mirushës, ku janë mbledhur plotë 80 thasë mbeturina.
Në lidhje me këtë iniciativë për mbrojtjen e natyrës, për Radio KFOR-in, foli Kryetari i OJQ-së, Kosova Wildlife Care, z. Albert Krasniqi: “Ne kemi përpiluar një listë me vendet që kanë më shumë nevojë për pastrim dhe në këtë rast gjendja e Mirushës ka qenë e tmerrshme. Ne kemi mbledhur 80 thasë me mbeturina, si plastikë dhe shishe e për këtë duhet falënderuar edhe K.R.M “Ambienti”, njësia operative në Klinë, që bartën dhe larguan mbeturinat e mbledhura nga ne.”
Pjesë e këtij organizimi kanë qenë edhe përfaqësues të OJQ-së “Qytetarët Aktiv”, kurse mbledhja e mbeturinave u bë nga mëngjesi deri në pasdite.