Organizata ndërkombëtare që vepron nëpërmes projekteve të tyre në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor ‘Regional Youth Cooperation Office (RYCO)’, ka ofruar një mundësi të shkëlqyer për të gjithë studentët e Kosovës, për tu bërë pjesë e një programi që përfshin shkëmbime kulturore dhe vizitë në Japoni. Të rinjtë nga Kosova, të cilët janë aktualisht studentë nga mosha 20-25 vjeç, mund të aplikojnë në këtë program dhe do të kenë mundësi të mësojnë çdo gjë rreth kulturës, ekonomisë, historisë dhe jetës japoneze.
Radio KFOR-i përmes një interviste me Drejtuesen e Zyrës Lokale të RYCOs për Kosovë, Krenare Gashi Krasniqi, mësoi më shumë rreth kësaj mundësie dhe rëndësinë e këtij programi për të rinjtë: “Programi Western Balkans meet Japan: A Bridge into the Future – është vërtetë një mundësi unike të cilën e ofron RYCO me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor. Është unike sepse vërtetë rrallë ndodhë që të rinjtë tanë të ekspozohen me kultura të tilla siç është ajo e Japonisë. Të vizitosh vendet, memorialët dhe të mësosh për të kaluarën jo të lehtë që ka pasur ky vend, është konsideruar vërtetë përvojë e jashtëzakonshme për pjesëmarrësit e viteve të kaluara. Andaj jemi të lumtur që ofrojmë këtë mundësi kaq të veçantë e kaq të rrallë për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor, që me anë të këtij shkëmbimi ndërkulturor në pasurojmë këndvështrimet e tyre për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal edhe me perspektiva të reja si kjo e shoqërisë Japoneze.”
Të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimi do të jenë të mbuluara nga organizatorët. Aplikimi do të jetë i hapur deri me 22 shkurt 2021, ndërsa për informata më të detajuara rreth programit dhe aplikimit klikoni në vegëzën e më poshtme:
https://www.rycowb.org/?p=9277&fbclid=IwAR3VEqmi71fw3FNfrI5UQWoqUUf1cwepEu6ywwnutzODuwNqkoSnkPV-JG4