Kingstoni është kryeqyteti i Xhamajkës, një qytet që shtrihet përgjatë bregut juglindor të këtij ishulli. Vendi ku mund ta shijoni muzikën e bukur dhe jetën e natës derisa lëvizni nën ritmin e daulleve tradicionale të kësaj pjese të botës. Qendra e qytetit është e njohur pikërisht për muzeun e këngëtarit legjendar të muzikës reggae, Bob Marley, një hapësirë që dikur ishte vet shtëpia e këtij artisti e tashmë përmban copëza të jetës dhe veprës së tij.
Përveç historisë dhe muzikës, në Kingston mund të shijoni disa nga ëmbëlsirat më të shijshme që keni ngrënë ndonjëherë, hapësira e njohur si Devon House, është me e njohura në gjithë Xhamajkën për këto specialitete, prandaj për adhuruesit e ëmbëlsirave mbetet edhe vendi që duhet vizituar patjetër. Kingston është një qytet i cili ka më shumë se 1.2 milion banorë, ka shumë gjallëri dhe mund ta themi që është një kaos i bukur në pritje për tu vizituar, ka një hapësirë të mahnitshme të kopshteve botanike. Vlen të përmendim kopshtin “Hope Garden”, që shtrihet në 2000 hektarë, ku do të shihni bimë të cilat nuk i gjeni diku tjetër në botë.
Sa i përket sportit, jo vetëm Kingstoni por e gjithë Xhamajka, është shumë e njohur për atletët apo vrapuesit më të shpejtë, një sport që i ka dhënë shumë këtij vendi dhe një emër që e njihni të gjithë, është edhe njeriu më i shpejtë në botë, Usain Bolt.