Bukureshti, është kryeqyteti i Rumanisë dhe njëherit qendra ekonomike e këtij vendi. Vulë ikonë e këtij qyteti, është ndërtesa masive e qeverisë Palatul Parlamentului, e epokës komuniste, e cila ka 1.100 dhoma. Aty pranë, zona Lipscani, është shtëpia e një skene energjike të jetës së natës, që ju fton për të kaluar kohë të paharrueshme kur vizitoni këtë qytet.
Pallati i Parlamentit, njihet si ndërtesa e dytë më e madhe në botë, me lartësi prej 84 metrash, në një zonë të gjerë që shtrihet përgjatë 365 mijë metrave katrorë.
Ka shumë gjëra të mira të cilat e bëjnë Bukureshtin një qytet shumë të lezetshëm për tu vizituar, me që është një ndër 15 qytetet me internetin më të shpejtë në botë, mesatarja e shpejtësisë së shkarkimit arrin në 95.18 Mbps.
Qendra e qytetit është pjesa me e bukur e Bukureshtit, një parajsë vërtetë për vizitorët. Zona Lipscani është vendi i duhur për ta nisur mbrëmjen tuaj, me shumë bare, klube nate, kazino dhe drita neoni, që njihet si pjesa e gjallëruar e këtij vendi.
Edhe pse sipas legjendës qyteti e mori emrin nga një bari i quajtur Dambovita Bucur, megjithatë Bukureshti njihet edhe si Parisi i vogël. Një qytet shumëngjyrësh dhe me kulturë të pasur, e që ndikimin francez mund ta dalloni pikërisht në arkitekturën e ndërtesave të këtij qyteti.
Kryeqyteti i Rumanisë, është gjithashtu një qytet mjaft ekonomik për të jetuar, për 1 litër birrë paguani rreth 1.5 euro, kurse një darkë e ngrënë në restorantet e qytetit, ju kushton rreth 5 euro.