Koalicioni i Kosovës për Pajtim (KKP) sot (11 korrik), në “Shtëpinë e Evropës” në Prishtinë, ka prezantuar lansimin e Koalicionit të Kosovës për Pajtim. Hyrja në partneritet të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH), AKTIV dhe Artpolis janë ato organizata të cilat po kërkojnë të trajtojnë dhe të kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë, duke ngritur mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e nismave bazë të komunitetit, që kanë për qëllim nxitjen e procesit të pajtimit në Kosovë. Përfaqësuesit e Koalicionit të Kosovës për Pajtim janë: drejtori ekzekutiv i FDH Kosovë, Bekim Blakaj, themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive në Artpolis, Zana Hoxha Krasniqi dhe drejtori ekzekutiv i OJQ-së AKTIV, Miodrag Milićević, kurse panelistë të këtij aktiviteti ishin, Adriatik Kelmendi, Alban Muja, Besa Luci, Darko Dimitrijević dhe Edis Galushi. Në këtë aktivitet i pranishëm ishte edhe stafi i Radio KFOR-it i cili kontaktoi me drejtorin ekzekutiv të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH), Bekim Blakaj, i cili në lidhje me këtë ngjarje dha këtë prononcim:
“Ne si shoqëri nuk duhet të lejojmë që të bëhet diçka e rregullt status quo-ja, duhet t’i vendosim përpara proceset, t’i përkrahim ato dhe të mbërrijmë pajtimin, përndryshe nuk ka ndonjë alternativë tjetër”.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i OJQ-së AKTIV, Miodrag Milićević, i cili ishte poashtu i pranishëm në këtë ngjarje, për Radio KFOR-in theksoi:
“Ky projekt me siguri do të jetë një nga ato projektet që do të kontribuojë në një kuptim më të mirë të të gjithë kontekstit tonë dhe thjesht të kontribuojmë në punën për bashkimin e dy komuniteteve të ndara, të cilat në perspektivën tjetër duhet me siguri të hapin mundësitë që do të çojnë thjesht në procesin e pajtimit. Dhe unë të jem i sinqertë, jam shumë i kënaqur në lidhje me këtë, siç e kam thënë tashmë, për mua nuk ka përparësi më të madhe se sa qasja e dy bashkësive etnike me njëri-tjetrin, sidomos në kohën e sotme. Ajo që po bëjmë sot, është themeli që do të çojë në konvergjencën e bashkësive etnike të ndara dhe në krijimin e kushteve më të mira jo vetëm për të rininë, por edhe për ata që duan të vazhdojnë jetën e tyre në Kosovë.”
Bashkëjetesa dhe respekti i ndërsjellë janë themelet e një shoqërie të përparuar, qëllim të cilin e ka edhe Radio KFOR-i, që nga themelimi.