Për nder të themelimit të ‘Federatës së Ragbit’ në Kosovë, do të organizohet një mini-turnir me ekipe të Ragbit dhe ekipe nga rajoni. Mini-turniri do të ketë gara në kategori të ndryshme si për: femrat, fëmijët dhe meshkujt.
Në një bisedë për Radio KFOR-in, zëdhënësja e ‘Balkan Lynx Rugby Club’, Bronwyn Jones, na tregoi më shumë për këtë organizim:
“Ne i mirëpresim të gjithë për të ardhur në turneun Mini-rugby, për të festuar krijimin e Federatës Rugby të Kosovës. Gratë, burrat dhe fëmijët do të luajnë dhe do të kemi aktivitete për fëmijët. Kosova është një vend i përkryer për të zhvilluar sportin që ne e duam. Tani meshkujt, femrat dhe fëmijët e Kosovës kanë mundësi që ta mësojnë këtë sport atraktiv; shpresoj që të kemi prezent shumë njerëz që të vijnë dhe të mësojnë më shumë rreth ragbit”, tregoi Jones.
Federata e Ragbit në Kosovë u themelua më 12 shtator, në zyret e Komitetit Olimpik të Kosovës. Qëllimi kryesor i krijimit të kësaj federate është të zhvillohet sporti i ragbit në Kosovë dhe të promovohen vlerat e tij, për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.