Trashëgimia kulturore paraqet vlerën unike dhe të pakufishme kulturore të një populli, sepse e krijuar ndër gjenerata, drejtpërdrejt reflekton në shoqëritë por edhe në arsim, kulturë dhe në zhvillimin e civilizimit. Në shekullin e XXI, ruajtja e trashëgimisë kulturore është jo vetëm obligim i institucioneve kompetente, por është edhe obligim moral i gjithë shoqërisë të krijoj kushte për ruajtjen e saj dhe në të ardhmen.
Rrjeti për Aktivizimin Qytetar me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), përmes programit “Avancojmë Kosovën së Bashku – Zgjidhjet Vendore” (AKT-LS), organizuan ngjarjet kulturore në të cilat do të prezantohen trashëgimitë kulturore të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë dhe të cilat janë pjesë e projektit “Karavani kulturor”.
Aktivitetet kulturore të Karavanit përfaqësojnë ekspozitën e objekteve të trashëgimisë kulturore veglat e punës të komuniteteve në Kosovë. Vizitorët do të kenë mundësi t’i shohin veshjet popullore, veglat dhe objektet që i kanë përdorur paraardhësit tanë për jetën dhe punën e tyre, si dhe t’i shijojnë ushqimet tradicionale nga rajoni i Gjilanit.
Ngjarja e parë u mbajt sot nga ora 11:00, në Shtëpinë e Kulturës, në Zebinc, ku përveç banorëve serb aty kishte edhe shqiptarë. Radio K4 bisedoi me zonjën Shefkije Mehmeti nga Organizata “Qendra e gruas në zhvillim rural” që funksionon në Komunën e Novobërdës.
“Sot jemi këtu në karavanin e produkteve tradicionale ku kemi bashkëpunim me serbë, dhe shqiptarë dhe nuk është vetëm kjo ditë që ne i prezantojmë produktet tona. Tani e 7 vite bashkëpunojmë me serbët. Këtu nuk bëjmë dallime, duam vetëm të zhvillojmë komunën tonë pavarësisht nacionalitetit, a është serb, shqiptar apo rom. E rëndësishme është që meqenëse ne po shkojmë drejt plakjes, po mundohemi që këtë t’ua përcjellim gjeneratave të reja, të ju tregojmë se si duhet të veprojnë, të ruhet trashëgimia në tërë Kosovën dhe jo vetëm në Novobërdë”.
Përveç zonjës Mehmeti ne takuam edhe zotëri Xhemal Bunjaku nga fshati Bunjak, komuna e Novobërdës, i cili na tregoi se ka një restorant Muze, ku në të ka mbi 300 artifakte të grumbulluara nga komunitete të ndryshme dhe se i ruan me xhelozi shumë të madhe. I pyetur për projektin, ai tha:
“Ky projekt është dashur të mbahet edhe më herët, se nuk ka jetesë pa një bashkëpunim. Të gjithë banorët e Kosovës le ta marrin si shembull Komunën e Novobërdës për bashkëjetesë në mes të komuniteteve, ku është një bashkëjetesë e mrekullueshme dhe e mirë. Sa më shumë të afrohen me njëri-tjetrin dhe të qëndrojnë sa më larg urrejtjes, sidomos që gjeneratat e reja të rriten të shëndoshë në aspektin shpirtëror dhe të mos kenë urrejtje mes vete. “
Në këtë aktivitet ne kontaktuam edhe kryetarin e Organizatës Joqeveritare “Rrjeti për Qytetarizëm”, zotëri Ivan Todoroviq, i cili ndër të tjera theksoi:
“Trashëgimia kulturore e shqiptarëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera me të gjitha veçoritë e tyre, janë pjesë e hapësirës multikulturore të Kosovës. Ruajtja dhe avancimi i të gjitha kulturave që jetojnë në këtë vend, garanton që ne kemi arritur të krijojmë shoqëri, e cila respekton dallimet, mbështet diversitetin kulturor dhe e vlerëson atë si një vlerë të jashtëzakonshme të këtij rajoni, dhe që nga ana tjetër ka edhe më shumë vlera morale të cilat e ngritin cilësinë e përditshme të jetës së çdo qytetari të saj”.
Aktivitetet kulturore të Karavanit do të mbahen edhe përgjatë dy ditëve të tjera, më 13 Korrik, në Partesh, në Shtëpinë e Kulturës, dhe më 16 Korrik, në hapësirat e Shtëpisë së Kulturës në Shillovë.