Në kuadër të “Koalicionit të Kosovës për Pajtim”, Qendra për Artin dhe Komunitetin- “Artpolis”, do të organizojë trajnimin “Edukimi i Bazuar në Teatër me Bashkëmoshatarë” ku do të përfshijë bashkëmoshatarë nga komuniteti shqiptar, serb, rom, ashkali dhe egjiptian.
Programet më të mira dhe më efektive janë ato programe ku përfshihen të rinjtë nga rajoni i njëjtë, por që kanë kultura të ndryshme.
Qysh mijëra vite me parë, arti teatror ka rrëmbyer vëmendjen e njerëzve nga të gjitha kulturat dhe pikërisht përmes tij kanë komunikuar historitë e krijuara në gjithë botën.
Për të pyetur rreth idesë së organizimit të këtij trajnimi, Radio KFOR-i ka kontaktuar zyrtaren për media në qendrën “Artpolis”, Venera Ismaili, e cila tha:
“Në këtë trajnim të rinjtë do të mësojnë për teatrin dhe teknikat e aktrimit. Ata do të jenë në gjendje të krijojnë shfaqje, gjithmonë, bazuar në fushat e të drejtave të njeriut, me vlera jodiskruminuese, bashkëjetesë multietnike, për të prishur stereotipet”.
Afati i fundit për aplikim në këtë trajnim, që do të mbahet nga 20 deri më 22 shtator në Prizren, është 15 shtatori. Se cilat janë kriteret për aplikuesit, Venera Ismaili tha:
“Kriteret që duhet të përmbushen në këtë trajnim, përveç moshës dhe përkatësisë etnike, janë këto: ata duhet të dinë dhe të interesohet për teatrin, dashurinë e teatrit, artin dhe veçanërisht teatrin e forumit, të interesohen për edukimin e kolegëve, të jenë të apasionuar pas të drejtave të njeriut, për bashkëjetesë multietnike dhe për të kontribuar në komunitetin lokal”.
Teatri, gjithmonë ka potencial që të ofrojë momente magjike dhe të paharruara, andaj kjo është një arsye më shumë pse të rinjtë duhet të jenë pjesë e këtij trajnimi, ku kanë rastin të mësojnë më shumë për kultura të ndryshme, të bëjnë shokë të rinj dhe të shkëmbejnë njohuri e përvoja mes tyre.