Akademia Profesionale “INFINIT’ në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po vazhdon me organizimin e trajnimeve për të rinj të grupmoshave 18-24 vjeç, për përgatitjen profesionale të tyre për orientim në karrierë. Trajnimi i radhës do të mbahet këtë të shtunë (25.01.20), ndërsa trajnimet do të vazhdojnë deri më 8 shkurt 2020 dhe të gjitha ligjëratat mbahen nga ora 11:00 deri në orën 15:00. Radio KFOR-i ka kontaktuar Bashkim Islamin, drejtues i Qendrës së Trajnimeve në Akademinë “INFINIT”, i cili ka treguar për qëllimin e organizimit të këtyre trajnimeve: “Në këto trajnime i kemi angazhuar 30 të rinj nga Komuna e Prishtinës dhe 30 të rinj nga Komuna e Obiliqit, me numër të barabartë të dy gjinive. Objektivi kryesor i kësaj thirrje është ofrimi dhe promovimi i mundësive për kyçje në tregun e punës, përmes trajnimeve për personat e papunësuar, me qëllim të pajisjes me njohuri, shkathtësi punësimi dhe punësim direkt. Pas përfundimit të trajnimeve me pjesëmarrësit do të përzgjidhen disa të rinj për memorandume me bizneset, mediat dhe shoqatat në të cilat do propozojmë angazhimin e tyre për punë praktike në zbatimin e shkathtësive të fituara.” Projekti për orientimin e të rinjve në karrierë po realizohet në kuadër të Planit të Veprimit për Punësimin e të Rinjve 2018-2020, ndërsa pjesëmarrësve do t’iu ndahen certifikata.