Organizata Jo Qeveritare “Women 4 Women”, ju ka bërë thirrje të gjitha grave të interesuara që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e trajnimit ‘Përkujdesje për fëmijë dhe mirëmbajtje’, i cili planifikohet të mbahet gjatë javës tjetër. Ky trajnim ofrohet pa pagesë për gratë e riatdhesuara dhe atyre me potencial migrimi në kuadër të projektit “Crafting Lives”, që financohet nga ‘BMZ – Bundesministerium fur Wirtschaftliche Zusammenarbeit und Endwicklung’ përmes ‘GIZ GmbH’.
Radio KFOR-i ka kontaktuar koordinatoren e këtij projekti, Znj. Preveza Gashi, e cila ka treguar për qëllimin e organizimit të tij: “Qëllimi i organizimit të këtij trajnimi online, është që të vazhdohet implementimi i aktiviteteve të projektit ‘Crafting Lives’, që financohet nga qeveria gjermane me ndihmën e ‘GIZ Kosova’. Projekti synon që gratë e riatdhesuara dhe ato me potencial migrimi, të zhvillojnë aftësi profesionale që do t’iu ndihmonin atyre të gjejnë punësim dhe të vetëpunësohen, për të përmirësuar jetën e tyre dhe të familjes. Trajnimi ‘Përkujdesje për fëmijë dhe mirëmbajtje’, është një nga trajnimet profesionale që ofrohen përmes këtij projekti. Trajnimet tjera janë: rrobaqepësi, punëdore dhe soft skills.”
Koordinatorja Gashi, po ashtu tha se dyqani online ‘Balkanspring’, është pjesë e rëndësishme e këtij projekti dhe shtoi: “Dyqani do të lansohet së shpejti dhe do të jetë një mundësi për të gjitha gratë artizane në Kosovë, që të vetëpunësohen duke i shitur produktet që ato i punojnë.”
Trajnimi me temën ‘Përkujdesje për fëmijë dhe mirëmbajtje’, do të fillojë me seanca online dhe do të vazhdojë ashtu derisa të zbuten masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes të virusit ‘Covid-19’. Të gjitha të interesuarat për këtë trajnim duhet të shkruajnë në faqen zyrtare në Facebook ‘Women 4 Women’.