Teatri i fëmijëve Dodona në Prishtinë do të sjell shfaqjen e re me kukulla “Topi Hopi” të autorit të njohur Çek, Jan Malik dhe nën regji të Melihate Qenës.
Kjo ngjarje tregon për një çift të vjetër të cilët jetonin në një shtëpi të vetmuar dhe nuk ishin të lumtur sepse nuk kishin fëmijë për ti gëzuar. Gjyshi donte djalë ndërsa gjyshja donte vajzë. Një ditë dëshira e tyre plotësohet dhe atyre u erdhi një top. Topi dikur do të filloj të bëjë rrëmujë nëpër shtëpi dhe i nxitur nga një xhitë fluturake, topi do të ikë nga shtëpia. Fëmijëve iu mbetet të shohin nëse gjyshi e gjyshja do ta gjejnë topin.
Shfaqja do të jepet këtë të shtunë, 13 prill, në dy termine, prej orës 12:00 dhe 13:00, në teatrin e kukullave “Dodona” në Prishtinë dhe i takon moshave të fëmijëve mbi tre vjeç. Në këtë shfaqje luajnë: Avni Hoti, Roza Berisha Fejzullahu, Melihate Qena dhe Valdet Rama.