Tolaranca është një nga vlerat më të larta që një shoqëri apo individ mund të ketë. Radio KFOR-i në misionin që bartë tashmë dy dekada përmes programit, fushatave, mesazheve që përcjellë, shpërfaqë përkushtimin dhe punën për të krijuar tolerancë dhe bashkëpunim në mes të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në ‘Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës’, që shënohet sot me 16 nëntor, ndajmë disa mesazhe në lidhje me këtë temë nga dëgjuesit dhe profesionistët e fushës përkatëse.
Sipas psikologut, Dorjan Krasniqi, toleranca është parim i shoqërive normale dhe vetëm nëpërmes saj mund të kemi një të ardhme të suksesshme: “Për mua si psikolog, toleranca ndëretnike është një vlerë, ajo tregon respekt për identitetin e një personi, për besimin si dhe për kulturën e tij. Tolerimi dhe respektimi i të tjerëve pa penguar aktivitetet e tyre dhe pa paragjykime, janë parime që ne duhet t’i kultivojmë si shoqëri. Toleranca ndëretnike është baza e një shoqërie normale. Kjo është rruga, që ne të përparojmë.”
Qytetari nga komuniteti serb, Petar Gjorgjeviq, e përkufizon tolerancën si vlerë për të pranuar të tjerët, ashtu siç janë: “Toleranca është respekt për idetë dhe mendimet e të tjerëve. Gjithashtu, tolerancë për mua do të thotë respektim, pranim dhe vlerësim i pasurisë së diversitetit. Nëse nuk do të kishte tolerancë, atëherë do të shfaqeshin stereotipet.”
Toleranca, brenda kuptimit të saj bart mesazhet më të rëndësishme për individët dhe shoqërinë në përgjithësi. Nëpërmes pranimit, bashkëjetesës dhe jo-paragjykimeve, varësisht dallimeve tona, do të arrijmë të krijojmë shoqëri diverse dhe te barabartë.