Për të krijuar një shprehi pozitive tek fëmija, si element kryesor konsiderohet rutina e qëndrueshme e krijimit të kësaj rutine e cila është një sfidë në vete, duke marr parasysh faktin që fëmijët kanë tendencë të mos i pranojnë detyrat e tyre të shtëpisë, me seriozitet. Krijimi i shprehive të mira arrihet duke gjetur metodën e duhur të motivimit të fëmijës.
Rreth kësaj çështjeje, për Radio KFOR-in ka folur psikologe, Antigona Qenaj-Sejdiu, e cila tregoi edhe për rolin që kanë prindërit në motivimin e fëmijës: “Rol kryesor në krijimin e shprehive të shëndosha tek fëmijët, kanë prindërit. Ata përveç që kujdesen për mirëqenien e fëmijës, gjithashtu kanë ndikim shumë të madh në formimin e personalitetit të tyre. Kjo arrihet duke qenë fillimisht model i mirë për fëmijët dhe duke i menaxhuar/kontrolluar sjelljet e tyre. Përveç udhëzimit, kërkohet edhe bashkëpunim, mbikëqyrje e ndërtimit të shprehive, mbështetje dhe menaxhim në tërësi të procesit derisa të ndërtohet shprehia. Kjo kërkon angazhim fizik dhe psikik të prindit bashkë me fëmijën.”
Një nga faktorët që ndikon në uljen e motivimit për krijimin e shprehive të mira, është kalimi i kohës së pakontrolluar para ekraneve dhe shkëputja nga aktivitetet e botës reale.