“Filantrop” zakonisht është një term që përdoret për të rriturit dhe të pasurit dhe rrallë herë, për të mos thënë asnjëherë nuk përdoret në rastet e duhura, e aq më pak tek fëmijët. Sidoqoftë, gjithnjë e më shumë, fëmijët po mësojnë se çfarë do të thotë të jesh filantrop, si në shtëpi ashtu edhe në shkollë.
Përvoja të shumta tregojnë se përfshirja e fëmijëve në filantropi ka efekte pozitive për ta, për familjet e tyre dhe shoqërinë në përgjithësi. Prandaj, rekomandohet që prindërit tek të vegjlit e tyre, të instalojnë fillimisht ndjenjën e empatisë apo aftësisë për të kuptuar dhe për të ndarë ndjenjat me të tjerët e cila më pas i shndërron në filantrop, që t’ju ndihmojnë njerëzve që kanë nevojë.
Kësisoj vepron edhe zonja, Venera Hoxha-Iseni, nënë e një vajze 9 vjeçare, e cila për Radio KFOR-in, ndau përvojën e saj personale në lidhje me kujdesin që ajo mundohet ta shfaqë ndaj njerëzve në nevojë, praktikë e cila shpreson të përcillet edhe nga vajza e saj: “Mundohem që, sidomos në sy të vajzës sime, të tregoj dhembshurinë dhe dëshirën për tu ndihmuar atyre që kanë nevojë, sepse e di që vajza ime si dhe të gjithë fëmijët tjerë, kanë tendenca të imitojnë veprimet e prindërve. Pikërisht këtë mundohem ta bëjë, në mënyrë që edhe ajo nesër të jetë e gatshme tua zgjasë dorën e ndihmës atyre që kanë nevojë.”
Sipas ekspertëve, rekomandohet po ashtu që një mënyrë për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të kuptojnë se çfarë do të thotë të japin, është t’u mësoni atyre rëndësinë e dhënies, të ndarjes së gjërave të tyre me të tjerët.
Ata gjithashtu pohojnë se edhe përmes shembujve të thjeshtë, mund tu ndihmoni fëmijëve tuaj të kuptojnë, në terma të thjeshtë dhe konkret se çfarë do të thotë të jesh bujar. Mund të jetë thjesht çelësi për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të jenë më të lumtur, më të zgjuar dhe më të suksesshëm.