Data e sotme, 7 shtator, i është ndarë shënimit të ‘Ditës Ndërkombëtare të Ajrit të Pastër për Qiej të Kaltër’, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit tek të gjithë popujt, se sa është i rëndësishëm për shëndetin, produktivitetin, ekonominë dhe mjedisin, ajri i pastër. Për të vënë në pah rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka intervistuar Udhëheqësin e organizatës jo-qeveritare ‘Qendra e Ekologëve të Kosovës’, z. Yll Ahmeti: “Pastërtia e ambientit reflekton në qiej të kaltër, pra një ambient i pastër do të thotë ajër i pastër dhe ndikon që të kemi qiej të kaltër dhe ambient më të shëndetshëm. Vetëdija shoqërore dhe aktivizimi për një ambient të pastër, konsiderojmë që është në një shkallë relativisht të ulët, por kjo ka ndikim edhe nga promovimi që bëhet nga institucionet përgjegjëse të ambientit, të cilat duhet që të kenë promovime të mëdha që qytetarët të kenë të paktën informacionet bazike për rëndësinë e një ambienti të pastër dhe të shëndetshëm pra, duhet që vetëdija për ambient të pastër, të kultivohet qysh në fëmijëri. Duke pasur një ambient të pastër, nuk na kanosen rreziqe, duke filluar prej atyre shëndetësore e deri tek ato që kërcënojnë botën si pasojë e ndotjes.”
Ahmeti, ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët që të raportojnë rastet e ndotjes së ambientit, ndërsa ai pati edhe këtë mesazh: “Ta ruajmë ambientin tonë, jo vetëm për vete por edhe për gjeneratat e ardhshme.”