Rubrika ‘Artist of the Day’, sot, i është ndarë grupit që bëri histori qysh kur debutoi në skenë. The Pussycat Dolls, është grupi i vajzave të cilat rrëmbyen vëmendjen e botës dhe shpejt u ngjitën në majat e top listave botërore, falë super-hiteve që ato sollën. Grupi u themelua zyrtarisht në vitin 1995, nga koreografi Robin Antin, ndërsa pjesë e The Pussycat Dolls, ishin vajzat të cilat fillimisht ishin të njohura si valltare. Bendi performonte në një klub nate në Los Angeles, nga viti 1995 deri në vitin 2001. Pasi tërhoqi vëmendjen amerikane, menaxheri i tyre Antin, përfundimisht negocioi një marrëveshje me ‘Interscope Records’, në vitin 2003 dhe grupi u transformua në bend muzikor.
Bendi The Pussycat Dolls, përbëhej nga këngëtarja kryesore Nicole Scherzinger, së bashku me Melody Thornton, Jessica Sutta, Ashley Roberts, Kimberly Wyatt dhe Carmit Bachar. Kënga e tyre debutuese ‘Sway’, solli ato në vëmendjen e publikut dhe ishte kolona zanore e filmit të realizuar në vitin 2004, i titulluar ‘Shall we Dance’.
Pas largimit të Carmit Bachar nga bendi, në mars 2008, grupi publikoi edhe albumin e tyre të dytë të incizuar në studio ‘Doll Domination’, i cili përfshinte hitet “When I grow up”, “I Hate This Part” dhe “Jai Ho’. Ky album arriti të hyjë në 10 albumet më të mira në Amerikë.
Në vitin 2009, bendi filloi një turne botëror, pas të cilit edhe nisën thashethemet për mundësinë e shpërbërjes së grupit, që ndodhi vërtetë në vitin 2010. Pas shpërndarjes së grupit, të gjitha anëtaret vazhduan në projektet e tyre solo.
Liderja e bendit Nicole, arriti sukses të madh duke publikuar këngën ‘Killer Love’ dhe ‘Big Fat Lie’, në vitin 2014. Grupi ka shitur 54 milion albume në të gjithë botën, duke i bërë ato një nga grupet më të dëgjuara të vajzave të të gjitha kohërave. The Pussycat Dolls u bashkuan sërish në vitin 2019 në një paraqitje në spektaklin ‘X Factor’, me një performancë madhështore duke kënduar për herë të parë këngën e tyre ‘React’. Edhe pse sukseset e The Pussycat Dolls janë të pamohueshme, bendi është përballur me kritika të shumta nga publiku dhe kritikët e mediave. Këto kritika kryesisht kanë të bëjnë për imazhin e tyre seksual dhe rutinat e vallëzimit që konsideroheshin me veshje provokative dhe të papërshtatshme për publikun. Megjithatë, në një intervistë Nicole, tha se ne gjithmonë bëjmë gjithçka me vetëbesim me qëllimin për të fuqizuar të tjerët për të gjitha gratë të cilat karakterizohen me ne.