Ndërmarrja sociale ‘TeshaVesha’, e krijuar nga Fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, do të ofrojë trajnim falas për gratë, të cilat duan të aftësohen në rrobaqepësi dhe në dizajn të modës.
Thirrja për t’u bërë pjesë e këtij trajnimi do të jetë e hapur deri të premten, më 25 dhjetor, ka bërë të ditur për Radio KFOR-in, zyrtarja për marrëdhënie me publikun në “AMC”, Riga Demiri, e cila shtoi: “AMC po e organizon këtë trajnim pa pagesë për vajzat dhe gratë, të cilat duan me u aftësu për rrobaqepësi dhe fashion design. Ky trajnim do të jetë disa orë, një herë në javë dhe do të zgjasë për disa muaj. Gjatë kësaj kohe, gratë do të aftësohen në qepjen e rrobave të reja, riparimin e rrobave të vjetra, krijimin e kreacioneve të reja, vizatimin e këtyre kreacioneve dhe gjithçka tjetër që mundet me qenë brenda fushave të rrobaqepësisë dhe fashion design-it. Aplikimi është i hapur për të gjitha vajzat dhe gratë, mbi moshën 18 vjeçare, që mendojnë se kanë talent dhe besojnë se munden me kalu mirë në këtë trajnim.”
Po ashtu, kandidatja potenciale do të trajnohet dhe aftësohet për 3 muaj dhe pastaj do t’i ofrohet mundësia të punësohet në ‘TeshaVesha’, ku do të bëjë qepje, riparime dhe kreacione të reja. Trajnimi mbahet të dielave dhe të hënave, rreth 2 deri në 3 orë në ditë, me trajnuese profesionale. Të gjitha kandidatet e interesuara mund të dërgojnë email me CV-në e tyre në jobs@amchealth.org